Në minutat e para pas mesnatës është ndalur së prodhuari njësia ”B1”, sipas një planifikimi të mëhershëm.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sonte, në minutat e para pas mesnate, është ndalur njësia B1, sipas një planifikimi të mëhershëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se kjo njësi u ndal për shkak të disa kontrolleve teknike dhe eliminimit të defekteve.
“Gjatë kësaj ndalese të shkurtër dy-ditore, do të kryhet një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Procesi pritet të përfundojë nesër gjatë ditës, ndërsa njësia ”B1” do të kthehet në prodhim në mbrëmje, rreth orës 20:00.
“Kjo ndalesë është e nevojshme për të siguruar që njësia të jetë në kushte optimale për prodhim dhe për të garantuar vazhdimësinë dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas KEK-ut, ky vit ishte më i suksesshëm se viti i kaluar për periudhën e njëjtë kohore.
Në faqen zyrtare të KEK-ut thuhet se, në periudhën janar-shtator 2023, bruto prodhimi i energjisë elektrike ishte rreth 4.03 milion MWh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky prodhim ka arritur në 4.6 milion MWh, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej rreth 14% krahasuar me vitin paraprak.