I arrestuari Dragisha Viqentijeviq u soll sot në Gjykatën e Prishtinës. Dyshohet se kreu sulmin terrorist më 29 nëntor, në kanalin e Ibër Lepencit.
Në anën tjetër, avokati Millosh Delleviq ka thënë se i dyshuari në kohën kur është kryer sulmi ka qenë në vend krejt tjetër dhe se për këtë ka dëshmitarë.
“Fakti se dikujt në shtëpi i janë gjetur çizme të lagura e të papastra dhe armë nuk mund të jenë dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për kryerje të këtyre veprave të rënda penale. Në atë kohë, ai ka qenë në një vend krejtësisht tjetër, ku ka pasur shumë dëshmitarë” – tha avokati Delleviq. Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Viqentijeviq, i cili është një prej tetë të arrestuarve lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Millosh Delleviq tha se klientit të tij i janë caktuar 30 ditë paraburgim. Por mohoi përfshirjen e tij në sulmin e së premtes në Zubin Potok.
“Dragisha Viqentijeviq i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai është i dyshuar se ka kryer vepra të rënda kriminale, saktësisht se ka dëmtuar kanalin e Ibër Lepencit.” – tha Delleviq.