Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar sulmin në Zubin Potok si një akt terrorist, duke theksuar se për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.
“Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv,” deklaroi Ministri Sveçla.
Ai e ka konsideruar incidentin e ndodhur të premten në mbrëmje si sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.