Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Varagë, afër Zubin Potokut, duke shkaktuar dëme në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka njoftuar se ka filluar hetimet për këtë ngjarje, e cila ka shkaktuar që uji të rrjedhë në mënyrë të pakontrolluar nga kanali.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin:
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin.”
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin që ndodhi në Ibër-Lepenc. Sipas Sveçlës, bëhet fjalë për shpërthim me eksploziv.
“Po. Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë.”
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është një akt terrorist i kryer nga profesionistë kriminalë e terroristë të orkestruar nga Serbia.
”Nëse nuk sanohet dëmi që nesër në mëngjes, një pjesë e Kosovës rrezikohet të mbetet pa rrymë, një pjesë e Prishtinës mund të mbetet pa ujë të pijshëm.”
Dëmtimi dyshohet se u shkaktua me qëllim për të dëmtuar infrastrukturën, në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është në komunikim me akterët relevantë, teksa ka shtuar se shpreson në sanimin e shpejtë të situatës. KEK ka thënë se për momentin s’ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.
Në anën tjetër, Kompania Rajonale Ujësjellësi Mitrovica ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit dhe ka bërë thirrje qytetarëve të sigurojnë rezerva të ujit të pijshëm.
Për rastin ka reaguar edhe presidentja e vendit, duke i quajtur akte terroriste dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të matur e të qetë përderisa institucionet po merren me rastin.
”Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste…” ”I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë.”
Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në gjithë territorin e vendit.
”Furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit. Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurt të sistemit të energjisë elektrike.”
Ky shpërthim vjen pas një serie incidentesh të tjera që kanë ndodhur në veri të Kosovës gjatë dy ditëve të fundit, përfshirë sulme me bomba në Zveçan, në stacionin policor dhe oborrin e komunës.