Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar fuqishëm shpërthimin që ndodhi në kanalin e ujit Ibër-Lepenc. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Hovenier theksoi se SHBA-ja po e monitoron nga afër situatën dhe mbështet një hetim të plotë për këtë ngjarje, duke ofruar gjithashtu mbështetje për Qeverinë e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë, duke dëmtuar një kanal të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin e Kosovës me ujë dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës,” ka thënë ambasadori.
Ai ka shtuar se SHBA-ja është angazhuar për të mbështetur një hetim të plotë dhe për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të ndëshkohen.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.”
Në reagimin e tij, Hovenier ka dënuar gjithashtu sulmet me granata që ndodhën në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e Komunës së Zveçanit më 28 nëntor, duke theksuar se këto veprime nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Ai ka përfunduar duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shprehin solidaritetin e tyre me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve.