Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se në masë të madhe u sanua dëmi në Ibër Lepenc. Ai lavdëroi punën e institucioneve, duke thënë se ky sulm veçse shfaqi frymën e bashkëpunimit, kontributit dhe angazhimit.
“Punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc. Çfarëdo sfide e tejkalojmë bashkë, dhe edhe ky sulm veçse shfaqi frymën e fuqishme të bashkëpunimit, kontributit dhe angazhimit të institucioneve tona”, u shpreh Kurti.
Për sanimin e kanalit Ibër Lepenc ka njoftuar edhe Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se është siguruar furnizim i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët.
“Rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, janë vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, shkroi Artane Rizvanolli.
Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm.
Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta. Në fund, Rizvanolli ka falënderuar Ibër Lepencin, Policinë e Kosovës dhe KEK-un për reagimin e shpejtë, si dhe AME-në dhe KRU-të, të cilët kanë vënë në dispozicion të gjitha autobotët dhe kapacitetet e nevojshme njerëzore për një zgjidhje emergjente.