Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, është shpallur fitues i çmimit prestigjioz Golden Boy 2024, duke u bërë lojtari më i ri në histori që e fiton këtë trofe. Çmimi, i cili u akordohet futbollistëve më të mirë nën 21 vjeç në botë, e konfirmon 17-vjeçarin si një ndër talentet më premtuese të futbollit.
Kjo është hera e tretë brenda katër viteve që një lojtar i Barcelonës triumfon në këtë garë, duke ndjekur gjurmët e shokëve të tij të skuadrës, Pedri dhe Gavi. Yamal pason Jude Bellingham, aktualisht lojtar i Real Madridit, i cili ishte fituesi i çmimit në vitin 2023.
Reagimi i Lamines
“Për mua është një nder të fitoj çmimin Golden Boy. Jam shumë i lumtur dhe është një ëndërr. Mbi të gjitha, dua të falënderoj anëtarët e jurisë, Tuttosport dhe fansat që votuan për mua për të arritur këtë çmim”.
“Nuk dua të harroj shokët e skuadrës, trajnerët e mi dhe stafin si nga Barça ashtu edhe nga kombëtarja spanjolle. Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm dhe po përfundon në një mënyrë të pabesueshme. Jam shumë i lumtur dhe synoj më shumë. “
Rekord pas rekordi
Në tetor, Yamal arriti një tjetër sukses të madh duke fituar trofeun Kopa në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë. Ky trofe, që gjithashtu vlerëson futbollistët më të mirë nën 21 vjeç, e vendosi atë si fituesin më të ri ndonjëherë të këtij çmimi.
Sezoni i fundit ka qenë i jashtëzakonshëm për Yamal, i cili jo vetëm që shkëlqeu me Barcelonën, por luajti një rol kyç edhe në triumfin e Spanjës në Kampionatin Evropian.
Në këtë turne, ai u shpall Lojtari i Ri i Turneut, u përfshi në ekipin ideal të kampionatit dhe goli i tij spektakolar kundër Francës në gjysmëfinale u cilësua si Goli i Turneut.
Në nivel klubesh, Yamal ka thyer një sërë rekordesh lidhur me moshën, përfshirë paraqitjet, golat dhe asistimet. Me Barcelonën këtë sezon, ai ka regjistruar 16 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 6 gola dhe ka dhënë 8 asistime.
Rikthimi i pritur
Edhe pse Yamal ka munguar në tri ndeshjet e fundit të Barcelonës për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, trajneri Hansi Flick ka dhënë lajme të mira. Pas fitores së fundit të Barcelonës kundër Brest në Ligën e Kampionëve, Flick konfirmoi se Yamal mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës në La Liga kundër Las Palmas.