Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.
Sipas policisë, 25-vjeçari u godit nga një shkallë metalike në kokë, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes. Rasti ka ndodhur në Prizren, të dielën, rreth orës 14:00.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, prokurori, si dhe inspektori i punës,” thuhet në raportin e Policisë.
Prokuroria bën me dije se janë arrestuar tre menaxherë të kompanisë dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
”Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin e vdekjes së 25-vjeçarit në vendin e punës, me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, tre (3) persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Shënjestër.
Në Ligjin e Punës përcaktohet se punëdhënësi është i detyruar që ta sigurojë punëtorin në vendin e punës.
“Mbrojtja e përgjithshme në punë, neni 42, pika 2: Punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve në pajtim me ligjin.”
Inspektimi se sa po zbatohet Ligji për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Punë është detyrë e Inspektoratit të Punës.
“Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji e bën Inspektorati i Punës.” (neni 24)
Ky institucion akoma nuk ka dalë me sqarime zyrtare rreth rastit.