Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën sot, më 21.11.2024, në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë.
Një person i dyshuar është arrestuar, teksa një tjetër është ende në arrati.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka thënë se ngjarja ka ndodhur në 16:00h, e se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, theksoi zëdhënësi.
Sipas tij, veprimet operativo-hetimore të Policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast.
Pak kohë pas ngjarjes, Borovci tha se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërkaq tjetri është ende në arrati.
Madje, ai shtoi se po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga Policia.