Legjenda e Arsenalit, Patrick Vieira, është emëruar trajneri i ri i Genoas, skuadër e Serie A. Vieira, 48 vjeç, do të marrë drejtimin e një ekipi që aktualisht ndodhet në vendin e 17-të në ligën italiane, vetëm një pikë mbi zonën e rënies.
Ish-menaxheri i Crystal Palace, i cili e la postin e tij në drejtimin e RC Strasburgut në korrik, pason Alberto Gilardino, ish-sulmuesin e njohur italian, i cili udhëhoqi Genoan që nga dhjetori 2022.
Gjatë periudhës së Gilardinos, ekipi fitoi vetëm dy nga 12 ndeshjet e zhvilluara në kampionat këtë sezon dhe u eliminua nga Kupa e Italisë nga Sampdoria, pas humbjes me penallti.
Si lojtar, Vieira ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, duke fituar tri tituj në Premierligë dhe katër Kupa FA me Arsenalin, si dhe trofe të tjerë me AC Milan, Inter Milan dhe Manchester City. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit kombëtar francez që fitoi Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000.
Pas pensionimit në vitin 2011, Vieira nisi karrierën e tij menaxheriale me New York City në 2016. Ai më pas kaloi në Ligue 1 me Nice, ku arriti të çojë skuadrën në vendin e shtatë në sezonin e tij të parë, por u shkarkua në dhjetor 2020.
Më vonë, ai mori drejtimin e Crystal Palace në vitin 2021, duke e çuar ekipin deri në gjysmëfinalet e FA Cup, para se të largohej nga posti në 2023, pas një periudhe të vështirë me rezultate negative. Pas kësaj, Vieira u bë trajner i Strasburgut, përpara se të pranonte ofertën nga Genoa.