Errët
Ndritshëm

BE-ja i reagon Kurtit: Mos heq dorë nga përgjegjësitë për Asociacionin

20.11.2024

Bashkimi Evropian i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ai nuk mund të hartojë statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe jashtë kuadrit të dialogut të Brukselit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se kryeministri Kurti duhet të vazhdojë me zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të cilat u arritën në vitin 2023, duke filluar nga hapat për themelimin e Asociacionit.

“Sipas marrëveshjeve të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e Asociacionit duhet të hartohet dhe të diskutohet brenda dialogut. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, tha Stano.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin jashtë dialogut dhe nuk mund ta delegojë këtë përgjegjësi te komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Stano theksoi gjithashtu se draft-statuti evropian për Asociacionin bazohet në praktikat dhe modelet evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Ai kujtoi se Kurti e ka pranuar këtë draft-statut në prani të liderëve evropianë dhe se ai ka marrë mbështetje nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian.

“Shpallja e këtij dokumenti si një ‘non-paper’ është një shenjë që Kurti po shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar dialogun mbi këtë bazë”, përfundoi Stano.

Errët
Ndritshëm