Të hënën, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës do të ndeshet me Lituaninë në kuadër të xhiros së 6-të të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ky takim vjen pas një periudhe të tensionuar për “Dardanët”, të cilët po kërkojnë një fitore pas incidenteve të shkaktuara në ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë, ku tifozët rumunë shpërndanë thirrje raciste ndaj Kosovës, duke përfshirë slogane si “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”. UEFA ende nuk ka dhënë një vendim për atë ndeshje.
Në klasifikimin e grupeve, Kosova ndodhet në vendin e dytë, pozicion që ka siguruar tashmë, dhe pas përfundimit të fazës së grupeve, do të përballet në play-off me një nga ekipet që përfundojnë në pozitë të tretë në Ligën B. Nëse kalon këtë fazë, Kosova mund të ngjitet në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Nga ana tjetër, Lituania ka humbur çdo mundësi për të qëndruar në Ligën C, pas një serie rezultatet të dobëta.
Dy kombëtaret janë përballur vetëm dy herë në histori: një herë në një miqësore në vitin 2021, ku Kosova fitoi bindshëm 4:0, dhe më pas në xhiron e parë të edicionit aktual të Ligës së Kombeve, kur “Dardanet” triumfuan me rezultatin 2:1, falë golave të Edon Zhegrovës dhe Ermal Krasniqit.
Megjithatë, Kosova po përballet me mungesa të rëndësishme në mbrojtje. Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova do të mungojnë për shkak të kartonëve të verdhë të marrë gjatë ndeshjes me Rumaninë. Sidoqoftë, selektori Franco Foda ka shprehur besimin se ka zgjidhje për t’i mbuluar këto mungesa, duke përmendur lojtarë si Aliti, Hoti dhe Krasniqi, të cilët janë të gatshëm të japin maksimumin.
Lojtari më i vlefshëm i Kosovës është Edon Zhegrova (Lille, vlerë 25 milionë euro). Nga ana tjetër, lojtari më i vlefshëm i Lituanisë aktualisht është Edgaras Utkus, mbrojtës i Cercle Brugge në Belgjikë, me një vlerë prej 2.5 milionë eurosh.
Kosova do të synojë një paraqitje të fortë për të mbyllur grupin me fitore.