Errët
Ndritshëm

Naser Hafizit i vazhdohet paraburgimi për 60 ditë, ndërsa Izedin Bytyqit arresti shtëpiak i zgjatet për një muaj

14.11.2024

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës , Naser Hafizi. Kurse, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në MMPHI, ia vazhdoi arrestin shtëpiak edhe për një muaj.

Izedin Bytyqi dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse Naser Hafizi për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Lajmin për vazhdimin e masave ndaj dy të dyshuarve, e ka konfirmuar , Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gashi tha se për Hafizin, masa e paraburgimit është vazhduar nga 10 nëntori 2024 dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2025.

“Ju njoftojmë se me datë 08.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit N.H. Të pandehurit N.H i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri me 10.01.2025”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Kurse, për Bytyqin sipas zëdhënëses masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar deri më 8 dhjetor 2024.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024″, thuhet ne pergjigjen e Gashit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Errët
Ndritshëm