TURP, mos i prishni fëmijët!
Janë disa organizata joqeveritare, nja 37 që i njoh unë, të cilat reagojnë ndaj ngacmimeve seksuale në Kosovë. Por, të njëjtat nuk kanë reaguar për aktivitetin ku nxënësit, për 5 minuta, mund të prekin njëri-tjetrin ku dojnë, nëpër organe të ndryshme të trupit.
Të nderuara OJQ, a po prisni për ndonjë fond, apo mos është ky aktivitet i klasës interes i grupimeve që ju financojnë? Përgjigjuni. Sepse edhe HESHTJA është përgjigje!
Këto organizata, që ngacmim seksual i konsiderojnë edhe komentet për dukjen, nuk kanë ngritur zërin për diçka kaq serioze, siç është rrasja epshore e duarve mes nxënësve në shkollat tona.
Nëse kanë ndonjë dyshim nëse ai aktivitet klasor përbën ngacmim seksual, le ta lexojnë Ligjin për Barazi Gjinore në Kosovë.
“Ngacmimi seksual përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale, verbale dhe joverbale, fizike ose simbolike, që ka për qëllim ose paraqet cenim të dinjitetit personal”.
Unë ua garantoj që ka nxënës që nuk dëshirojnë t`u cenohet dinjiteti i tyre personal. Ata nuk duan as t’i prekin organet gjenitale të dikujt dhe as të preken nga dikush tjetër.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës e parasheh ngacmimin seksual si vepër penale, duke e dhënë një përkufizim të qartë për këtë vepër:
“Ngacmimi seksual nënkupton çdo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit, apo që cenon dinjitetin e tij dhe krijon një mjedis objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”.
Dënimet për ngacmimin seksual variojnë nga 3 deri në 10 vjet dhe përcaktohen në varësi të natyrës së veprës penale të ngacmimit seksual, e përcaktuar me Kodin Penal.
Fëmijët janë të pafajshëm. Mos i prekni. Mos i prishni ata!