Kombëtarja e Kosovës ka dy ndeshje të rëndësishme gjatë muajit nëntor. Sfida e parë do të luhet më 15 nëntor ndaj Rumanisë në udhëtim, ndërsa më 18 nëntor Kosova do të presë Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri Franco Foda ka ftuar një përforcim të ri për këto ndeshje, sulmuesin Baton Zabërgja, i cili do të grumbullohet për herë të parë me kombëtaren A të Kosovës. Ky është një moment i veçantë për futbollistin, i cili ka shprehur emocionet e tij pas ftesës.
“Për mua është ndenjë e papërshkrueshme, sepse është ëndërr për çdo futbollist që të luash me ekipin kombëtar, më vjen mirë që e kam realizu këtë. Më kanë pritë shumë mirë dhe mendoj që kemi një ekip të mirë që të arrijmë rezultate në të ardhme. Rumania ka qenë kundërshtari më i vështirë në këtë grup, por ne kemi lojtarë dhe mund të dalim me rezultat pozitiv”, tha Zabërgja për faqen zyrtare të FFK-së.
Për Kosovën, ndeshja ndaj Rumanisë është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi do të ndikojë në të ardhmen e ekipit në Ligën e Kombeve.