Vjedhje në Ministrinë e Liburn Aliut. Abuzim në Ministrinë e Rozeta Hajdarit. ‘Gjakderdhje’ financiare milionëshe në Qeverinë Kurti.
Këto janë fantazi për një medium si Klan Kosova. Ky televizion kombëtar, në vend që t’i japë vëmendje këtyre zhvillimeve apo t`i zbulojë vetë, ka zgjedhur të fokusohet në ndodhitë brenda Big Brother, prodhim i saj. Të tilla si:
-
“Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha.”
-
“E goditi në vithe, Xheneta i qesh, pastaj i reagon ashpër Rezit.”
-
“Kevini: Nuk puthi asnjë vajzë tjetër përveç Anës, as për 10 mijë euro.”
Pra, një medium me mbi 200 punëtorë zgjedh të merret me diçka që nuk do të ishte temë as në një kafehane, e lëre më për t’u transmetuar për publikun. Nuk dua t`ia shtroj askujt aty brenda pyetjen: Cili është interesi publik ?
Klan Kosova, në thelb, është frikacake. Nuk bën hulumtime. Mungon opozitarizmi i saj ndaj pushtetit, atij që donte t`ia vinte pikërisht drynin. Me një fjali; nuk e ushtron rolin e “Watchdog”-ut. Kush janë frikacakët?
Interesi Devollistan
Përgjigjet për dy pyetjet e parashtruara sipër i kam të qarta: Përmbajtjet e Big Brother nuk janë shija e drejtorit të televizionit, as të atij të informacionit. Edhe ata, si mjeshtër të moçëm të këtij zanati, e dinë nja 1 milion herë më mirë se unë, se informacionet e tilla “big brothereske” nuk janë të rëndësishme, ndoshta as për rrethin familjar të banorëve protagonistë, e kurrsesi për t’u transmetuar para një audience të gjerë siç e ka Klan Kosova.
Gjithçka vjen nga lart. Nga Devolli, pronari i Klanit. Dhe këtu lind interesi i transmetimit të Big Brother. Ky interes është puro financiar. Devolli ka dhjetëra produkte të vetat, që natyrisht, se dëshiron t`i shfaq apo imponojë para miliona shikuesve, diçka që grumbullon në vete, i ashtuquajturi spektakël Big Brother.
Sa më shumë reklamim për Comoditan dhe Princin, aq më shumë shitje. Aq më shumë fitim. Fundja, nga këndvështrimi biznesor, pronarët kanë të drejtë. Ata kërkojnë fitime. Makiaveli: Qëllimi justifikon mjetin.
Devolli na sheh si konsumatorë. Drejtorët televizivë do të duhej të ndërhynin dhe të niseshin nga koncepti i interesit publik. Diçka surreale, jo vetëm në Klan, por në shumicën e mediumeve. Kur nuk ke para tuat, në fund të ditës, kush të pyet? Zëvendësohesh kollaj.
Prandaj, Klan Kosova nuk është sot ajo që duhet të jetë. Prandaj, The Guardian është mediumi që është. Ka pavarësi financiare, e cila përkthehet pastaj në pavarësi editoriale.
Kush po e pëson?
Trashjen e xhepave të Devollit po e vuan populli. Po ndodh një helmim masiv mendor.
Mijëra shikues, të ngulitur para ekranit, po konsumojnë shfaqje të përnatshme që prodhojnë dhunë, ngacmime seksuale dhe degjenerim. Nuk ka asnjë përfitim informativ, edukativ a moral, përveç shpërndarjes së pisllëqeve.
Dikush mund të thotë se askush nuk është i detyruar ta shikojë Bigun. Problemi është më i thellë. Në Kosovë nuk ekziston lënda e edukimit medial, çka do t’i vetëdijësonte kosovarët për pasojat e konsumimit të përmbajtjeve të tilla. Rreziku fillon këtu.
Zgjidhja
Andaj, kur populli mbetet i patrajnuar, është Komisioni i Pavarur i Mediave që duhet të marrë masa.
Assesi të prekë Klan Kosoven, por të paktën t’ia MBYLLË urgjentisht programin Big Brother. Arsye ka mjaft.
Janë shtatë ankesa kundër Big Brother Vip Kosova, show që transmetohet në Klan Kosova, të depozituara në Komisionin e Pavarur të Mediave. Katër prej tyre lidhen me hyrjen në spektakël të të dënuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në një shtëpi me denoncuesen Drenusha Latifi.
Njëra nga ankesat e tjera ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, pasi një banori i është bërë një video, në të cilën thuhet se po i flet babai i tij i ndjerë. Një tjetër ankesë është nga një qytetar që thotë se ky show është joedukativ. Dhe dikush tjetër është ankuar nën arsyetimin se ndihet i fyer nga komentet e analistit Milaim Zeka.
KPM-ja është një organ i pavarur që, ndër të tjera, rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e televizioneve që ofrojnë shërbime audiovizuele, por jo vetëm. Në kompetencën e saj është shqiptimi i sanksioneve, siç janë gjobat nga 1 mijë deri në 100 mijë euro për transmetuesit, pezullimi i një pjese ose i gjithë programit të licencuar për një periudhë të caktuar kohe, apo dhe ndërprerja e licencës së transmetimit.
Le të presim për 26 nëntorin, kur pritet të mbahet mbledhja e KPM-së pikërisht për ankimimet ndaj Big Brother Vip Kosova. Shpresat për ndërprerjen e spektaklit, pavarësisht nevojës, janë minimale.
Të shohim!