Errët
Ndritshëm

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, deklarimet e liderëve shqiptarë

07.11.2024
Screenshot 3 6 800x450

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para samitit të Komunitetit Politik të Evropës në Budapest nga ku ka thënë se bashkëpunimi i Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë fuqishëm edhe nën administratën Trump.

Ajo ka theksuar se zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së do ta forcojë më tej bashkëpunimin edhe me Kosovën.

“Zgjedhja e presidentit Trump do vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë, kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën Trump. Bashkëpunimi i fuqishëm mes Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë”, ka thënë Osmani.

Osmani është pyetur nëse e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit, e ajo është përgjigjur se nuk e sheh të tillë për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Kosovës për dekada si republikanët ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim, Kosova ka përfituar për dekada nga mbështetja dypartiake e SHBA-së”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet për herë të pestë, kësaj radhe në Budapest. Derisa fillimisht foli për detajet, duke marrë parasysh se në takimin e pjesës së parë të vitit 2025 Shqipëria do të jetë nikoqire, shefi i Qeverisë Shqiptare më pas u pyet për gazetarët për zhvillmet e rëndësishme këto ditë.

Rama tha se ka pasur shumë emocion, “ndoshta jo në mënyrën e duhur”, për rikthimin e mundshëm të Trump.

“Kuptimi është se ka pasur shumë emocion, ndoshta jo në mënyrën e duhur, për rikthimin e tij të mundshëm. Eksperienca ime tregon se kur ka qenë president, dhe të gjithë thonin se NATO do të jet më e dobët, NATO u bë më e fortë. Kështu që, të shohim dhe most ë bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin.” – tha fillimisht ai, transmeton Nacionale.

Rama shtoi se rikthimi i presidentit Donald Trump nuk është diçka e keqe dhe shqetësuese, por mundësi që gjërat të bëhen më ndryshe.

“Dëgjoni, ShBA-të janë ShBA. Nuk mendoj se do të jetë diçka e keqe për Evropën, mund të jetë diçka shumë e mire për Evropën. Unë e kam thënë, mendoj që nuk është patjetër diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar dhe për të bërë më shumë, dhe një Evropë më e fuqishme.

Nuk mendoj se çfarë ka ndodhur në ShBA është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese, në të kundërtën mund të jetë një mundësi shumë e mirë për t’i bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën.” – tha tutje ai.

Më pas, gazetarët pyetën Ramën:

“Çfarë mendoni për situatën në Gjermani?”

Kjo pyetje, duket se nuk i pëlqeu shumë, duke thënë se nuk i takon të flasë për çështje të mëdha, derisa ironizoi.

“Dëgjoni, unë jam kryeministër i Shqipërisë, jam më i gjati në mesin e tyre, por përfaqësoj një shtet të vogël kështu që nuk më takon mua që të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha.

Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë, në një kuptim se asgjë nuk ndryshon, shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë nuk përben ndryshim, sepse ShBA-të janë ShBA-të. Kështu, jemi shumë pak të ndikuar nga emocionet, sepse për ne është njëjtë.” – u shpreh Rama, transmeton Nacionale.

Në fund, ai u pyet mbi një çështje shumë të përfolur, marrëveshjen për migrantët.

“Si e shihni propozimin e znj.Meloni?” – ishte pyetja e radhës nga gazetarët, të cilës Rama iu përgjigj me pyetje “Cilin?”.

“Për migrantët.” – thanë më pas gazetarët.

“Pyeteni atë, ajo do të vijë.” – u shpreh Rama.

Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në Shqipëri në pranverën e vitit 2025.

Errët
Ndritshëm