Errët
Ndritshëm

Real Madrid: Yjet që dështojnë, mbrojtja që shembet

07.11.2024
Gettyimages 2182471627 Scaled

Vetëm gjashtë muaj pas triumfit së Ligës së Kampioneve, Real Madrid është duke ecur drejt një krize që e ka kapluar ekipin. Pas një humbjeje të turpshme 4-0 nga Barcelona në El Clasico, Los Blancos pësuan humbjen e dytë radhazi në shtëpi të martën në Evropë, këtë herë nga AC Milan, i cili triumfoi 3-1 në Santiago Bernabeu. Ekipi i Carlo Ancelottit, i mbushur me yje, u mposht para tifozëve të tyre, ndërkohë që Kylian Mbappé vazhdoi të lërë hapsira të mëdha pa i shfrytëzuar. Në fakt, sulmuesi francez ka shënuar vetëm një herë në gjashtë ndeshjet e fundit, një statistikë që është gjithashtu një alarm për Madridin.

Pas humbjes me Milanin, trajneri Ancelotti pranoi një pjesë të fajit, duke theksuar se skuadra duhet të bëjë një hap përpara, si dhe se ai vetë ka nevojë të punojë më shumë me lojtarët:

“Kur nuk ka soliditet, duhet më shumë organizim. Nuk mund të them se lojtarët janë dembelë, por në momentet kyçe, nuk po punojmë ashtu siç duhet dhe nuk mund të mbrojmë në këtë nivel”, tha Ancelotti, duke u shprehur se duhet bërë më shumë për të rregulluar mbrojtjen.

Ish-trajneri dhe legjenda e klubit, Jorge Valdano, e ka lidhur drejtpërdrejt këtë situatë me largimin e Toni Kroos nga ekipi:

“Largimi i Kroos ka kaluar nën vëmendjen e përgjithshme, por ai ishte shpëtimtari i ekuilibrit në mesfushë dhe tani Real Madrid ka vështirësi të gjejë stabilitetin që ai ofronte”, tha Valdano, duke shtuar se klubi po e ndien mungesën e tij, pavarësisht se kanë lojtarë të nivelit botëror.

Problemet për Madridin janë më të thella në mbrojtje. Nga 15 ndeshje të luajtura këtë sezon, ekipi ka pranuar 18 gola, një bilanc katastrofik për Los Blancos, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë asnjëherë stabilitet defensiv. Për të shtuar më shumë shqetësim, kapiteni Dani Carvajal është jashtë i lënduar, duke e detyruar Lucas Vazquez të luajë si mbrojtës i djathtë, një lojtar që ka krijuar boshllëqe në mbrojtje. Eder Militao nuk është në formën e tij më të mirë, ndërsa Ferland Mendy dhe Aurelien Tchouaméni po kalojnë një periudhë të vështirë në fushë.

Nëse Real Madrid do të shpëtojë nga kjo gjendje, duhet të gjejë sa më shpejt një formulë të re për të rigjetur ekuilibrin dhe për të mbrojtur atë që ka mbetur nga krenaria e tij. Po ashtu, mbetet të shihet nëse Ancelotti do të ketë kohë të mjaftueshme për të kthyer këtë skenë kaotike në një ekip konkurrues.

Errët
Ndritshëm