Errët
Ndritshëm

7 ankesa kundër ‘Big Brother Vip Kosova’

06.11.2024
 1000 0 Big Brothe

7 ankesa kundër Big Brother Vip Kosova, show i transmetuar në Klan Kosova, janë deponuar në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Katër prej tyre lidhen me hyrjen në të ashtuquajturin spektakël të të dënoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në një shtëpi me denoncuesen Drenusha Latifi.

Njëra nga ankesat e tjera ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, pasi një banori i është bërë një video, në të cilën thuhet se po i flet babai i tij i ndjerë. Një ankesë tjetër është nga një qytetar që thotë se ky show është joedukativ. E dikush është ankuar nën arsyetimin se ndihet i fyer nga komentimet e analistit Milaim Zeka.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha të mërkurën para deputetëve në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut se ende nuk kanë pasur mundësi t’i shqyrtojnë ankesat, pasi ka qenë një kohë e shkurtër, edhe pse ato janë pranuar me shqetësim të madh.

Mehmeti njoftoi se mbledhja për trajtimin e këtyre ankimimeve është caktuar për 26 nëntor 2024.

“Një tjetër ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, pasi që një banori i është bërë një video gjoja se i flet babai i tij i ndjerë. Një qytetar është ankuar për këtë. Një ankesë tjetër nga një qytetar që thotë se ky show është joedukativ. E një ankesë tjetër që thotë se ndihet i fyer nga komentimet e analistit”, tregoi ai.

KPM-ja është një organ i pavarur që, mes të tjerash, rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e televizioneve që ofrojnë shërbime audiovizuele, por jo vetëm.

Në kompetencën e saj është vendosja e sanksioneve të tilla si: shqiptimi i gjobave nga 1 mijë deri në 100 mijë euro për transmetuesit, pezullimi i një pjese ose i gjithë programit të licencuar për një periudhë të caktuar kohe, e edhe ndërprerja ose refuzimi i vazhdimit të licencës së transmetimit.

Klan Kosova nuk ka bërë ende asnjë reagim zyrtar lidhur me ankesat, përveçse aksionet e zhvilluar para selisë, të cilat kundërshtonin emisionin e prodhuar prej saj, i ka cilësuar si sulme huligane.

Errët
Ndritshëm