Errët
Ndritshëm

Feronikeli i bie “pishman”, vazhdon garat në futbollin kosovar

01.11.2024
458504563 971232588348858 6555510945139016435 N Copy

Klubi nga Drenasi njoftoi dje përmes një postimi në Facebook se do të tërhiqet nga të gjitha garat e organizuara nga FFK. Sipas tyre, iu janë bërë shumë padrejtësi nga referët gjatë ndeshjeve, dhe gjithashtu akuzojnë FFK-në për mos rregullim të kësaj situate.

“Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, kemi besuar në zhvillimin e fair play-it në sport dhe në integritetin e FFK-së.
Kjo ndoshta ishte gabimi ynë më i madh.


Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: ‘Mjaft është mjaft!’
Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndjemë humbës në fushë.
Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë.
Me këtë vendim publik, njoftojmë tërheqjen tonë përfundimtare nga
të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës,” u tha në njoftim.

Të enjten, gjatë ditës, Presidenti i klubit Feronikeli, Erlind Krasniqi, mbajti një konferencë për media ku shprehu se klubi është tërhequr nga vendimi i djeshëm, duke theksuar se janë klubi më i dëmtuar në Superligë.

“Prej kur kemi hyrë në Superligë, kemi qenë klubi më i dëmtuar,” ka thënë ndër të tjera Krasniqi në konferencë.

Kapiteni i klubit, Lapidar Lladrovic, kishte një kërkesë për FFK-në:

“Shpresojmë që FFK të reflektojë, sepse kjo nuk po ndodh vetëm sivjet. Edhe vitin e kaluar kemi qenë një nga skuadrat më të dëmtuara në ligë. Por, për hir të futbollit dhe tifozëve, kemi vendosur të mbetemi në ligë,” u shpreh Lladrovci.

Feronikeli 74 pretendon se është dëmtuar nga gjyqtarët në 11 javët e para të Superligës.

Klubi nga Drenasi është i vetmi pa fitore këtë edicion, duke regjistruar vetëm tri barazime.

Errët
Ndritshëm