Shaban Gogaj është liruar të enjten nga burgu. Ai ishte i dënuar për vrasje nga pakujdesia e Agonis Tetajt në vitin 2018.
Avokati Besnik Berisha ka konfirmuar lirimin e klientit të tij.
“Shaban Gogaj është liruar dje nga Burgu i Dubravës dhe lirimi i tij është bërë me vendim të Gjykatës Supreme.”
Përfaqësuesi i autorizuar i familjes së të ndjerit Agonis Tetaj, avokati Berat Tmava, ka thënë se nuk kanë qenë të befasuar nga veprimi i fundit të gjykatës, për shkak se sipas tij në këtë rast ka pasur ndërhyrje të shumta.
“Ka pasur ndërhyrje nga persona që nuk ia duan të mirën drejtësisë.”
Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.
Gogaj, nga Gjykata Themelore e Pejës, për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje, dhe i ishte shqiptuar një dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.
Agonis Tetaj ishte vrarë nga Shaban Gogaj në vendin e tij të punës, në shtator të vitit 2018.