Më keni parë të prezantoj para jush me dhjetëra vetura luksoze. Asnjëra nuk është më e veçantë sesa kjo për të cilën po shkruaj tash.
Fjala është për Ferrarin jo të Formula 1, por për “Ferrarin” medial, Shënjestër 1. Mediumi shënoi njëvjetorin të hënën dhe sukseset për kaq kohë i ka sikurse të Ferrarit dikur në pistë, kompanisë më të suksesshme të F1, klasës më të lartë të garave ndërkombëtare për makinat e garave. Jemi të parët me shikime në Tiktok. Grumbullojme në të gjitha rrjetet sociale +150 milionë shikime.
Formula e suksesit tonë është e thjeshtë. Mediumi ka arritur të sjellë në tregun shqiptar të informimit diçka të veçantë, mënyrë të paparë të transmetimit të lajmeve deri tash. Përshtypjet e publikut janë jashtëzakonisht të mira.
Si një grup, i përbërë nga disa të rinj, kemi arritur të dëshmojmë se korrektësia dhe profesionalizmi nuk mësohen përmendësh. Ato praktikohen dite pas dite dhe aplikohen vetëm nga ata që e dinë peshën e përgjegjësisë së informimit.
Shikuesit tanë këtë vit kanë qenë dëshmitarë të rezultateve të punës së stafit tonë në krye me Granitin, Fatlumin, e Azizin e mua po ashtu. Kënaqësia e të qenurit në një ekip i cili e merr punën me seriozitet dhe përkushtim maksimal, është e papërshkrueshme.
Në Shënjestër, koncepti i gazetarisë për mua ka ndryshuar për 180 shkallë. Këtu zëri i çdokujt është prezent dhe ideja e secilit është e mirëseardhur.
Sakrifica e vazhdueshme është shkaktare e këtij suksesi për kaq kohë të shkurtër, por ka edhe shumë sfida e raportime që na presin.
Vazhdojmë së bashku… deri atëherë rrini n’Shënjestër.