Trajneri që i shkaktoi humbjen më të dhimbshme Barcelonës në historinë e Champions League, të mërkurën do të presë në takim ekipin që e udhëhoqi drejt asaj fitoreje 2-8 në çerekfinalen e sezonit 2019/20. Bayern Munich është rivali më i madh i Barcelonës në Evropë. Rekordet e humbjes ndaj tyre janë një makth për Blaugranët, që këtë sezon janë në krye të La Ligas. Nga 13 përballje në Champions League, Barcelona ka dy fitore, dhjetë humbje dhe një barazim.
Hans Flick foli për mediat përpara ndeshjes kundër Bayernit:
“Duhet ta lëmë pas të kaluarën. Nuk mund ta ndryshojmë atë, por mund të ndikojmë në atë që do të ndodhë të mërkurën. Duhet të japim maksimumin tonë dhe ta mundim Bayern Munich. Bayerni është një ekip i klasit të parë, me lojtarë të shkëlqyer, shumë dominues dhe me posedim të lartë të topit. Por lojtarët e mi janë të gatshëm dhe e presin me padurim këtë ndeshje.“
Kur flitet për Bayernin dhe Barcelonën, shpesh përmendet edhe lojtari ndoshta më i urryer nga spanjollët, Thomas Müller. Gjermani ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 2 asistime në nëntë përballjet e tij në Champions League me Barcelonën.
Në anën tjetër, Bayern me trajnerin e ri Kompany po kalon një sezon të shkëlqyer në Bundesliga, ku e mbajnë kreun e tabelës me zero humbje.
Trajneri belg foli për mediat rreth ndeshjes ndaj Barcelonës:
“Ne jemi Bayern Munich; gjithmonë duhet të përpiqemi të fitojmë. Sigurisht, Barcelona është një klub tradicional dhe kjo është një lojë tradicionale. Kjo është arsyeja pse jemi në këtë kompeticion, sepse na pëlqejnë ndeshje të tilla,” u shpreh Kompany.
Ndeshja e ardhshme e Barcelonës është ndaj Real Madridit, ndërsa Bayerni do të përballet me VfL Bochum.