Errët
Ndritshëm

Unë, Agimi dhe Shënjestra!

21.10.2024
Azizi Profil Foto

Shënjestër shënon këtë 21 tetor një vjetorin e themelimit. Misioni i mediumit kur ishte krijuar kishte qenë shumë i qartë: të zbulojë dhe raportojë realitetin në të gjitha sferat, pavarësisht pengesave. Nëse “pengesë” e Granitit ishin hajnat, fajdexhinjtë ose “pengesë” e Fatlumit, Albin Kurti, për mua ishte ndryshe. Specialiteti im ishte Agim Ademi. Ai ishte “pengesa”, jo si njeri dhe as në raportin e personales, por si personalitet që ka marrë peng futbollin kosovar, duke keqmenaxhuar me pozitën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Dyert e oborri i këtij institucioni përgjatë një viti nuk ishin aspak të panjohura për mua. Ka pasur ditë që na ndante veç gjumi. Nga përvoja gjatë qëndrimit dhe raportimit prej shtëpisë më të madhe të futbollit në Kosovë kam mësuar një gjë: Agimi, lideri suprem i futbollit kosovar kujdeset më shumë për karrigen sesa për futbollin. Mbase duke e ditur këtë fakt, ai edhe ik nga ne, gazetarët. Agimi është frikacak në raport me gazetarët. Nuk doli kurrë të ballafaqohej me mua dhe nuk del as me të tjerë kolegë.

Mbaj mend se e kam tensionuar me një pyetje me spec në njërën prej konferencave të tij të rralla për medie.

E pyeta: “Zotëri Ademi, nëse dështon edhe Foda, a do të jepni dorëheqje?”

I nervozuar ma ktheu: “Agim Ademi nuk dorëhiqet kurrë.”

Tema u diskutua gjerësisht pastaj edhe nëpër emisionet televizive. Koha e dëshmoi se kisha të drejtë kur ia shtrova pyetjen.

Rezultatet e përfaqësueses nuk ishin të mira në Ligën e Kombeve, sidomos humbja ndaj Rumanisë 3 me 0 në Prishtinë. U kërkua shkarkimi i tij, por vlejti përgjigjja e tij si duket e përgjithmonshme: “NUK DORËHIQEM KURRË.”

Nëse Agimi është ngjitur për kolltuku, Shënjestër do të ngjitet edhe në vitin e dytë të saj pas Agimit të futbollit dhe Agimave të sporteve të tjera, që bëhen pengesë dhe prishin hijeshinë e sportit.

Por pse kjo “luftë” e imja dhe e Shënjestrës me Agim Ademin?

Nuk ka përgjigje të komplikuar; është tepër e thjeshtë. Agim Ademi është pengesë për të gjithë talentet e rinj që i kemi promovuar gjatë 365 ditëve të punës, pengesë e atyre që duan të bëhen yje të Kosovës. Kjo sepse Agimi nuk njeh gjuhë tjetër përveç sulmit, shantazhit, korrupsionit e dallaverit. Sporti nuk i duron këto. E Agimi s’e njeh gjuhën e talentit. Krejt çka duket se di, shyqyr Zotit, është që futbolli luhet me këmbë. Po, ato këmbët, si të Zhegrovës, Muricit dhe Muslijas, që nuk do të përtonte t’i thyejë. Këmbë që vlejnë mbi 30 milion euro.

Tingëllon paradoksale ama: Agimi ka PERËNDUAR!

Errët
Ndritshëm