Errët
Ndritshëm

PSE SHËNJESTËR?

21.10.2024
Fatlum Berisha

Kur rrena shitet si e vërtetë. Kur e keqja pasqyrohet si e mirë. Kur premtimi i dhënë shkelet. Kur korrupsionit i vjen era. Kur faresifit i jepet përparësi. Kur vjedhja bëhet dukuri. Me doemos DUHET të ekzistojë EDHE një medium i ri.

Shënjestër u themelua me të vetmin mision: RAPORTIMIN E TË VËRTETËS. Vërtetësia, si parim medial, nuk i përket Shënjestrës si e drejtë ekskluzive. I takon secilit medium. Çështja është tek zbatimi. Ne GARANTOJMË, ashtu siç edhe e dëshmuam për 365 ditë. 21 tetor 2023 – 21 tetor 2024.

VËRTETËSIA

Garantojmë informacione të sakta mbi punën e Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe secilit institucion. Kudo ku ka lajm. 

FAKTI është baza e profesionalizimit në kohën kur lajmet e rreme kanë vluar. Në një vit “jetë” në një mijë storje të prodhuara është ruajtur parimi themelor. Ai i VËRTETËSISË. Si për këtë, ashtu edhe për të tjera norma, busulla jonë mediale është Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Prioriteti ynë është interesi i publikut dhe jo interesimi i tij.

TRANSPARENCA, BESUESHMËRIA, PUBLIKU

Trinomi T.B.P është sikurse efekti i domino-s. Njëra e shkakton tjetrën. Transparenca e rrit besueshmërinë. Besueshmëria ndikon në zgjerimin e audiencës (PUBLIKUT).

TRANSPARENCË ABSOLUTE: Ne, gazetarët e Shënjestrës, kemi emra dhe mbiemra. Nuk fshihemi prapa shkronjave as zërit. Fytyrat tona dalin thuajse përditë para një audience milionëshe. Kudo. Nëpër rrjetet sociale.

BESUESHMËRI KULMORE: Dhjetëra raportime – të gjitha të faktuara – disa bile ekskluzive dhe hulumtuese, nga storja për shtëpinë e presidentes Vjosa Osmani, te çerdhet e zhdukura e premtimet “përrallore” të parealizuara të kryeministrit Albin Kurti, e deri tek hulumtimet rreth tenderëve të Përparim Ramës për dosta, na pozicionojnë lart në ranglistën mediale kosovare për besueshmëri dhe shikueshmëri.

ZGJERIM I AUDIENCËS: Shënjestër është vënë në shënjestër nga publiku. Përmbajtjet vizive autoriale të mediumit janë parë e dëgjuar me miliona herë në rrjetet sociale. Nga 10 mijë shikime në fillet tona, në shifra milionëshe shikueshmërie tash. Zgjerim MAKSIMAL. Dhe po, për një vit, Shënjestër është një emër. Dhe jo çfarëdo emri në industrinë mediale.

NDIKIMI

Kur ke pas shpine trinomin T.B.P është lehtë të kesh ndikim. Shënjestër ka zgjedhur përmes storjeve qindra telashe të qytetarëve, duke i bërë institucionet të veprojnë. Si rezultat i raportimeve tona, organet e rendit kanë nisur edhe hetime. Prodhimet tona kanë lënë gjurmë në opinion publik – diçka e lakmuar nga medie tjera – por e mbetur veç si fantazi.

STILI

Secila shtëpi mediale e ka stilin e vet. I yni është: Informim, me doza ironie, e edhe hajgareje. Varësisht prej teme. Jashtë shabllonit gazetaresk.

Gjuha jonë është ajo e pëditshmërisë. E thjeshtë, e kuptueshme dhe tërheqëse për audiencën. Gjuhë e popullit. Profesionalizmi nuk matet me stilin, por me VËRTETËSINË e informatës, po.

Në këtë aspekt, NE QËNDROJMË në superlativë!

TV a UEB

Shënjestër është format i kombinuar. Ka përmbajtje vizive e aso me shkrim. Fiks siç e do epoka digjitale. Shënjestër është një mini TV, pa fije dyshimi. Tash, edhe portal. Ju presin me dhjetëra shkrime në ueb.

——————————————————————————————————
Rruga jonë është e gjatë dhe mbase mund të gabojmë.

Na shënjestroni, ama edhe rrini në Shënjestër, sepse do të shënjestrojmë…

Errët
Ndritshëm