Qeveria Kurti nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje përgjatë mandatit të saj gati katër vjeçar. Sikur të mos mjaftonte kjo, Republika nuk ka bërë asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Opozita nuk pret të ketë diçka pozitive tash kur pushteti i ka ditët e numëruara, meqë më 9 shkurt 2025 mbahen zgjedhjet e reja. Njohësit e diplomacisë nuk kursejnë kritikat.
Në listën e publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën. Shteti më i ri në Evropë vazhdon të mos njihet në rajon nga Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, dhe Bosnje e Hercegovina. Kurse mungon njohja edhe nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Zotimet e Vetëvendosjes, të mbetura veç në letër
Qeveria, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, kishte ardhur në pushtet me premtime të mëdha në diplomaci.
Në programin e vet qeveritar 2021-2025, ekzekutivi zotohej se do ta forcojë subjektivitetin e Republikës.
“Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjellta diplomatike, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbime kulturore, ashtu edhe për të gjithë spektrin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral”, thuhej në program.
Përballë fjalëve, realiteti diplomatik është ky. Kosova është në vitin e dytë të sanksioneve ndërkombëtare dhe pa asnjë njohje prej kur vendi është nën qeverisjen e Vetëvendosjes.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Opozita “sheh” veç terr mbi Qeverinë Kurti në diplomaci
Partitë opozitare në Kosovë nuk presin njohje të reja në këtë mandat qeverisës e as anëtarësim në ndonjë organizatë me rëndësi.
Ato konsiderojnë se Kosova ka mbetur jetime në politikë të jashtme.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti është ndër më të zëshmit.
“Kosova nuk ka politikë të jashtme, përveç nëse nuk e cilësojmë të tillë ftohjen deri në acarim të raporteve të Qeverisë Kurti me miqtë dhe aleatët tradicionalë të Kosovës në kohën e trazimeve të mëdha gjeostrategjike”, kishte shkruar Hamiti në muajin shkurt në profilin e tij në “Facebook”.
Kosova, siç thotë ai, është nën sanksione të BE-së për fajin e Qeverisë Kurti.
“Kosova po i vuan pasojat e sanksioneve tash e tetë muaj, me dëme të matshme materiale – qindra milionë euro të humbura deri tani – dhe dëme të pamatshme në punë të imazhit të vendit tonë, si i vetmi shtet në këtë pjesë të Evropës i sanksionuar nga Perëndimi për fajin e Qeverisë së vet të papërgjegjshme”, ka shkruar Hamiti.
Autogoli qeveritar
Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gervala, tha se njohjet nuk janë njësi matëse e suksesit të politikës së jashtme.
Reagimi i saj erdhi si kundërpërgjigje ndaj opozitës.
“Nuk janë njohjet e reja ajo njësia matëse për suksesin apo dështimin e politikës së jashtme, çfarë është shumë e rëndësishme për Kosovën që shkon përtej njohjeve të mirëfillta janë marrëdhëniet tona me pesë shtetet e BE-së, respektivisht me katër shtetet e NATO-s. Ato janë shumë të rëndësishme, sepse ato shkojnë përtej çështjes së numrit të njohjeve që ka Kosova”, tha Gërvalla në emisionin Përballje.
Pyetja që shtrohet është kjo: Nëse njohjet nuk janë njësi matëse e suksesit të politikës së jashtme, atëherë pse u përmenden si çështja e parë të programi qeveritar.
“Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjellta diplomatike, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbime kulturore, ashtu edhe për të gjithë spektrin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral”, thuhej në program.
Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, Kosova lufton ende për t’u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë e ka të vështirë edhe të njihet nga më shumë vende të botës.
Aktualisht, shtetin më të ri në Evropë e njohin mbi 100 vende – apo rreth 60 për qind e anëtarëve të OKB-së.