Errët
Ndritshëm

Buka, ilaçet vs. 120 euro: Pleqëria e dhimbshme në Kosovë!

20.10.2024
Plaki Bac Logo Ma E Madhe

Z.M falendëron Zotin që e ka djalin dhe nipat nëpër puna.

Përndryshe, e pranon se nuk do të mund ta kalonte asessi muajin me 120 euro që i merr si pensioniste.

“Nëse sëmurem një kontroll më kushton 50 euro me ilaçe. Pa 200 euro nuk pshtojmë harxh”, tha Z.M për Shënjestër.net.

Asaj dhe të tjerëve pensionistë iu rrit “rroga” e pleqërisë për 20 euro, më 7 tetor 2024 nga Qeveria e Kosovës.

“Unë kam nevojë për barna për shkak të tensionit, unazave, e dhimbjes në këmbë e falënderoj familjen që më mbështet se për 120 eurot që i marr unë as një javë nuk kisha mujt me ia dal”, u shpreh Z.M.

VENDIMI I QEVERISË

Sipas Z.M e udhës do të ishte që pensioni të ishte të paktën 300 euro në muaj.

Mbulimi i kostos së barnave

Një pensionist me inicialet H.T i ka dërguar në redaksinë e Shënjestër.net fotografitë e barnave që duhet t’i përdorë rregullisht.

Shënjestër ka kontrolluar çmimin e tyre në barnatore.

Në total na del se një pensionist që nuk ka sëmundje kronike vetëm për ilaçe harxhon 27 euro e 70 cent në muaj.

93 euro e 30 cent i mbesin për ushqim, pagesë të faturave të rrymës e shpenzime tjera.

120 euro vs. “pezmatimi” i çmimeve

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e inflacionit në Kosovë ka lëvizur ndër vite.

Në vitin 2019 ishte 2.7 për qind, në vitin 2020 ishte 0.2 për qind dhe në vitin 2021 ishte 3.4 për qind.

Kulmin e arriti më 2022 – si për shkak të pandemisë, ashtu edhe për shkak të pushtimit rus të Ukrainës – kur u përmbyll me normë mesatare rreth 12 për qind.

Vitin e kaluar dhe këtë vit, inflacioni është në rënie, por jo edhe çmimet e produkteve bazë.

Të dhënat e ASK-së për muajin shtator të këtij viti tregojnë se çmimet e konsumit janë më të larta për 0.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Dëshpërimi, lodhja, dorëheqja

Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës se pensionistëve dhe invalidëve të punës, gjatë tryezës së organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, dha dorëheqje më 11 tetor nga kjo pozitë, shkak i injorimit të kërkesave të tyre nga Qeveria.

“Kemi bërë kërkesa që kemi llogaritur koston jetësore, dhe në bazë të saj kemi llogaritur se sa duhet të jenë pensionet. Ua kemi dërguar dhe nuk janë përgjigjur. Nuk kanë rritur pensionet… Prej sot unë nuk jam kryetar i organizatave, unë dorëhiqem”, kishte thënë Gashi.

Ai tha se ka marrë mandatin më 2021, ku edhe ka filluar të shikojë mundësitë e financimit të organizatës, duke thënë se Ministria e Financave iu kanë thënë se nuk janë në listën e organizatave joqeveritare për t’u financuar.

Andaj, Gashi tha se kanë rregulluar gjithë dokumentacionin, por prapë iu është thënë se duhet t’i dorëzojnë kur të hapet konkursi.

“Komisioni na ka bo presion dhe tash është dashtë MD me na nënshkru licencën prej tetorit 2023, tashmë në tetor 2024, Albulena Haxhiu nuk ka nënshkruar licencën për lidhjen e Shoqatës se pensionistëve, nuk janë përgjigjur fare as negativ. Na kanë injoru dhe na kanë anatemua deri në fyerje dhe përbuzje”, u shpreh ai.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet prej vitit 2014.

Errët
Ndritshëm