Errët
Ndritshëm

Lladrovci blen 95€ metrin e drunjve, jep tender 300 mijë € më të shtrenjtë

19.10.2024
Ramizzz

Nxënësit që vijojnë mësimin në Drenas nuk do të kenë telashe me dimrin sivjet, por as në dy dimrat e ardhshëm.

Të paktën jo brenda objekteve shkollore, meqë komuna tashmë ka blerë drunj dhe pelet për t`i mbajtur të ngrohta ato për tri vjet, raporton Shënjestër.net.

Tenderi peshon 1.2 milionë euro. Ai i është dhënë më 16 tetor të këtij viti operatorëve ekonomikë Berveniku dhe Burimi. Nënshkrimin në letër e ka hedhur Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.

Kontrata është publike kornizë, që nënkupton se komuna do të paguajë veç për sasitë e lëndëve që digjen nga shkollat.

Komuna e Drenasit ka përdor procedurën e hapur për këtë proces tenderimi.

Ajo që bie në sy është se komuna ka shpërblyer me tender konsorciumin që ofertoi me një çmim prej 1.2 milionë euro apo 300 mijë euro më shtrenjtë sesa Liki Group që konkurroi me një çmim prej mbi 900 mijë euro, raporton Shënjestër.net.

Liki Group u eliminua nga aktiviteti i prokurimit, që kriter kryesor kishte ofertën më të lirë të përgjegjshme, nën arsyetimin se nuk plotësoi kriteret e kërkuara në Dosjen e Tenderit.

Sa i përket furnizimit me lëndë djegëse, drunjtë do të jenë bung dhe çarr.

Diametri minimal i druve do të jetë jo më i vogël sesa 10 cm, bazuar në kontratën që e kanë arritur komuna me bizneset, raporton Shënjestër.net.

Sasisa e totale e drunjve është 9 mijë e 400 metra, të parapara për tri vjet. Një metër dru ka kushtuar 95 euro. 893 mijë në total.

Krahas druve, janë blerë edhe 850 ton pelet. Një ton ka kushtuar 380 euro. 323 mijë në total.

Sipas kontratës, komuna duhet t`i furnizojë institucionet shkollore në afat prej 15 ditësh, që nis prej kur ato e bëjnë kërkesën.

Në çmim përfshihet transporti i drunjve nëpër shkollat e komunës.

Errët
Ndritshëm