Errët
Ndritshëm

Kosovarët ngulfatën në kredi, bankat mbi 90 milionë € fitim të pastër

19.10.2024
Bqk

“I pata punët ngushtë. Hyra kredi kishe për lehtësim. Në fillim mu duk mirë, por kur më ra me i kthyer, më ra kokës gati dyfish më shumë”.

Kështu ankohet A.S, që nuk dëshiron t`i zbulohet identiteti, për kredinë që e mori për blerjen e veturës. Ai paguan vazhdimisht këstet tash e dy vjet. I kanë mbetur edhe tri vjet për pagesë sa “tre mijë”.

“Sikur ta përfundoj, nuk dua asgjë më shumë. Tri vjet sa tre mijë”, shprehet A.S në një intervistë për Shënjestër.net.

Ai kurrë më nuk do t`i “bie” kësaj rruge të shkurtër në fillim, e cila pastaj sipas tij doli të jetë goxha e gjatë.

Bankat mbi 90 milionë euro fitim të pastër

Bankat kosovare nga fitimet prej A.S dhe klientëve të tjerë kanë mbushur plot xhirollogaritë e veta.

Fitimet e larta të bankave viteve të fundit janë rezultat i shtrenjtimit të normave të interesit në kredi, si dhe shtrenjtimit të shërbimeve bankare.

Mbi 90 milionë euro është vlera e fitimit të pastër të 11 bankave në Kosovë, sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës. Krejt kjo për vetëm gjashtë muaj: janar, shkurt, mars, prill, maj dhe qershor të këtij viti.

NLB Bank është banka me fitimin më të lartë, duke arkëtuar 20 milionë euro. Pas saj vjen Raiffeisen Bank që ka grumbulluar 18.1 milionë sosh. E treta për nga radhitja është Banka Kombëtare Tregtare me 14.8 milionë euro.

Aspak keq me fitimet nuk janë as bankat tjera. ProCredit Bank ka fituar 13.6 milionë euro, kurse TEB Bank mbi 13 milionë sosh, raporton Shënjestër.net.

Me radhë për nga fitimet vjen Banka për Biznes me mbi 5.7 milionë, e pasuar nga Banka Ekonomike e Kosovës me një fitim të pastër prej 5.1 milionë euro.

Ndërkohë, katër bankat tjera, Ziraat Bank, IS banka, banka Credins dhe Pribank, të gjitha kanë raportuar fitime prej 1.6 milionë euro bashkërisht.

Viti i kaluar 2023 llogaritet si viti më i mirë i bankave në Kosovë sa i përket fitimeve. Për 12 muaj ato realizuan një fitim neto prej rreth 200 milionë euro.

Kamata 6.2 %, kosovarët ngulfatën prapë

Norma mesatare e interesit në kredi në muajin korrik 2024 ishte 6.17%, ndërsa në qershor ishte 6.12%, njofton Banka Qendrore e Kosovës.

BQK është institucion publik i cilit ka për qëllim të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave, raporton Shënjestër.net.

Përkundër kamatës së lartë, kosovarët janë rrasur përsëri kredi.  Vlera e kredive të reja në muajin korrik të këtij viti ishte 228.8 milionë euro.

Kreditë bruto në fund të muajit korrik kanë arritur vlerën në 5.39 miliardë euro. Krahasuar me muajin paraprak, qershor, kreditë bruto i bie të jenë rritur për 47.89 milionë euro ose 0.90%.

Ekonomistët shprehin kritika

Ekonomistët vlerësojnë se qytetarët po marrin kredi, për të përballuar çmimet e larta në treg.

Njohësi i fushës, Bashkim Mustafa kritikon Qeverinë.

“Qytetarët, shkaku i çmimeve të larta dhe të ardhurave të tyre personale të ulëta, si adresë po e shohin sistemin bankar. Qeveria nuk ka bërë asgjë për indeksimin e të ardhurave të tyre”.

Sipas tij, kredia nuk zgjidh problemet në aspektin afatgjatë.

“Kredia mundet të jetë një zgjidhje momentale, por do të jetë një barrë e papërballueshme për kohën e mëtejme kur duhet të kthehet kredia”, theksoi Mustafa për Shënjestër.net.

Errët
Ndritshëm