Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka anuluar vendimin për këmbim të pronave komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.
Seanca ishte thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se pas shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e pronave, shkëpusin koalicionin qeverisës me LDK-në në Prishtinë.
Ai bëri të ditur se drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqje.
“Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar ai.
Ismaili ka thënë se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që e dëmton interesin publik.
“Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitiat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Me 27 vota për, Kuvendi Komunal vendosi që të anulojë vendimin për këmbimin e pronave – ani pse vitin e kaluar e kishin miratuar.
Në seancë nuk ishin të pranishëm asamblistët e LDK-së, të cilët lëshuan sallën.