Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, e ka quajtur “surprizë të pakëndshme” vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Madje Kosovës iu kërkua edhe nga Gjermania që ta shtyej këtë vendim.

“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës-zëdhënëse e qeverisë.
Në anën tjetër zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se Kushtetuta duhet të zbatohet plotësisht. Pak ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregulloren për transaksionet me para të gatshme, duke përcaktuar euron si valutë të vetme për transaksione.
“E vetmja valutë e lejuar për pagesa me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Sipas nenit 11 të Kushtetutës, “në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret vetëm një valutë”.

Kjo rregullore pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Dinarët erdhën në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, një komunë në veri të Kosovës e banuar kryesisht me serbë. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”. Raporton EuroNews Albania.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës thotë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike në euro dhe valuta të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se secili qytetar i Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Bankës Qendrore “ka qenë vazhdimisht në anën e shkelësit të ligjit”.