Është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se më 26 dhjetor Laboratori i Mikrobiologjisë, përmes metodës RT-PCR, ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lija e majmunëve.
Sipas IKSHPK-së, personi i infektuar, i cili ishte kthyer nga një shtet afrikan, është spitalizuar në Klinikën Infektive dhe ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.
“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje,” thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandime për masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes, duke theksuar se personat e prekur nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta ose mesatare që zgjasin dy deri në katër javë dhe shërohen plotësisht.
“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik,” thuhet në njoftim.
Shfaqet rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë
