Afrim Murati është caktuar ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës(MMPHI).
Murati, që deri tash ka qenë drejtor i departamentit për shpronësim në dikaster, është emëruar në këtë pozitë më 11 tetor 2024, bazuar në vendimin e siguruar ekskluzivisht nga Shënjestër.

Vendim i Ministrisë vjen pas shkarkimit të sekretarit Izedin Bytyqi, i cili dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.
Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.
I dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë marrë me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër.
Krahas tij, i dyshuar është edhe Naser Hafizi, zyrtar i MMPHI-së.
Ai po dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.
Gjykata e Prishtinës i ka caktuar 30 ditë paraburgim Naser Hafizit, ndërsa Izedin Bytyqin e ka dërguar në arrest shtëpiak.