Errët
Ndritshëm

Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë edhe nga kreu i KGJK-së, pak ditë para se të vritej

28.10.2026

Pak ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me letër edhe kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, duke kërkuar ndihmë për rastin e saj.

Përmes kësaj letre, ajo kishte ngritur shqetësimet për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj.

Të njëjtën letër që ia kishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, Arlinda Zekaj ua kishte përcjellë edhe dy institucioneve më të larta të drejtësisë në vend.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka konfirmuar se kryetari i këtij institucioni, Arian Gashi, e kishte pranuar letrën e viktimës.

Në emisionin “Debat Plus”, Gashi ka bërë të ditur se kërkesa e saj i ishte përcjellë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, për trajtim sipas kompetencave ligjore.

Në letrën që Gashi ia kishte dërguar Vuçetajt thuhet:

“KPK ka pranuar një kërkesë nga zonja Arlinda Zekaj, përmes së cilës ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me veprimet ndaj lëndës së saj në Prokurorinë tuaj. Andaj, bashkëngjitur me aktin ua përcjellim kërkesën në fjalë që, sipas kompetencave tuaja ligjore, ta trajtoni këtë çështje”.

Rasti i Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i trajtuan shqetësimet e saj para vrasjes.

Errët
Ndritshëm