Bashkimi Evropian pret që qeveria e re e Serbisë të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë se rezultati i zgjedhjeve në Serbi nuk i ndryshon obligimet që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga udhëheqësit politikë individualë. Të gjitha obligimet ekzistuese mbeten valide, përfshirë Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit, të njohur si Marrëveshja e Ohrit”, ka deklaruar zëdhënësi.
Ai ka theksuar se është ende herët të flitet për ndryshime të mundshme në qëndrimin e Serbisë ndaj dialogut dhe ndikimin që ato mund të kenë në këtë proces.
BE-ja pret që Serbia të respektojë obligimet e saj dhe të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“BE-ja mbetet e gatshme të angazhohet me lidershipin e ri për të ruajtur vazhdimësinë e këtij procesi”, ka përfunduar zëdhënësi.