Të paktën pesë punëtorë janë lënduar të mërkurën, pasi një pllakë betoni është shembur në një vendpunishte në lagjen Dardania të Prizrenit.
Rasti ka ndodhur më 28 tetor, rreth orës 12:30.
Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, ku katër prej tyre janë liruar pas trajtimit mjekësor, ndërsa njëri ka mbetur për trajtim të mëtejshëm.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se informacioni për rastin është pranuar nga Emergjenca e spitalit.
Sipas të dhënave fillestare, punëtorët kanë pësuar lëndime të lehta.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e shembjes.