FC Cincinnati ka njoftuar transferimin e mbrojtësit të majtë 27-vjeçar, Tyrell Malacia, si lojtar të lirë. Holandezi ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2027, me opsion për zgjatje edhe për një sezon.
“Jemi të kënaqur që i bashkojmë skuadrës një lojtar me përvojën e Tyrellit. Ai ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit dhe e kupton se çfarë kërkohet në këto nivele. Cilësitë e tij me topin, aftësitë mbrojtëse dhe puna në grup do të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën dhe jemi të lumtur ta mirëpresim në Cincinnati”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Chris Albright.
Malacia, i lindur në Rotterdam, debutoi në elitën e futbollit në moshën 18-vjeçare me klubin e tij të fëmijërisë, Feyenoord. Debutimin në Ligën e Kampionëve e bëri ndaj Napolit, në një ndeshje të cilën Feyenoord e fitoi 2-1.
Ai zhvilloi 137 paraqitje për ekipin e parë të Feyenoordit, para se në korrik të vitit 2022 të transferohej te Manchester United.
Malacia ka 9 paraqitje me Kombëtaren e Holandës, që nga debutimi më 4 shtator 2021. Ai ishte pjesë e skuadrës holandeze në Kupën e Botës 2022, ku Holanda arriti deri në çerekfinale.
Lëndimet e penguan Malacian të vendosej plotësisht te Manchester United, ku zhvilloi vetëm 50 ndeshje. Një pjesë të sezonit 2024/25 e kaloi në huazim te PSV, ku luajti edhe tri ndeshje në Ligën e Kampionëve.
Këtë verë, ai u largua nga Manchester United si lojtar i lirë.
Gjatë karrierës, Malacia ka fituar Kupën e Ligës me Manchester United në sezonin 2022/23, ndërsa me Feyenoordin fitoi Kupën e Holandës në sezonin 2017/18 dhe Johan Cruyff Shield në vitin 2019.
Me PSV-në fitoi edhe titullin e Eredivisies në sezonin 2024/25.