Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në vend.
Në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 fishekë dhe një boks i hekurit. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Rasti po hetohet në procedurë të rregullt.
Në Graçanicë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër, e cila ka marrë tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore.
Po në Fushë Kosovë, dy persona janë arrestuar pasi ishin përleshur mes vete pas një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë marrë tretman mjekësor në QKUK dhe më pas janë dërguar në mbajtje.
Në Malishevë, një grua është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër. Pas intervistimit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Mitrovicën e Jugut, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari është në kërkim nga Policia, ndërsa rasti po hetohet.