Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është dënuar me 2 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjykata e ricilësoi veprën penale nga “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” në “Konflikt interesi”, duke e shpallur fajtor për emërimin e kompanisë “Euro Inspekt” si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve.
Sipas aktakuzës, Shala kishte miratuar vendimin në favor të kompanisë në pronësi të baxhanakut të tij, Valdet Teneqes, duke i mundësuar përfitime në vlerë mbi 732 mijë euro.
Përveç dënimit me burg, ai obligohet të paguajë edhe 200 euro shpenzime gjyqësore.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.