Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Hysri Selimin, ish-pjesëtar të organizatës terroriste ISIS, për spiunazh në favor të Serbisë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA), duke u dërguar informacione lidhur me personat e radikalizuar në Kosovë, rrymat vahabiste, funksionimin e mesxhideve, si dhe të dhëna për pjesëtarë të UÇK-së dhe vrasjet gjatë luftës.
Prokuroria ka pretenduar se ai është takuar disa herë me zyrtarë të BIA-s në Vranjë, Nish dhe Bujanoc, ku ka marrë detyra dhe ka raportuar për çështje të interesit për shërbimin sekret serb.
Sipas organit të akuzës, Selimi madje i ishte bashkuar ISIS-it me urdhër të BIA-s.
Ai ishte dënuar edhe më herët, në vitin 2022, me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku kishte shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur të kësaj organizate.